Pranimi i Imamëve në Bashkinë e Cyrihut – një sinjal i fortë për pjesëmarrje dhe dialog
Sot, Qyteti i Cyrihut organizoi pranimin vjetor të imamëve në Bashkinë e Cyrihut. Të ftuar ishin imamë, përfaqësuese dhe përfaqësues të bashkësive myslimane si dhe organizata të shoqërisë civile.
Në mënyrë të veçantë u vlerësua fjalimi i Presidentes së Qytetit, Corine Mauch, e cila theksoi përkushtimin e Qytetit të Cyrihut për pjesëmarrjen e barabartë të të gjithë njerëzve në shoqëri – përfshirë edhe myslimanet dhe myslimanët – si dhe luftën kundër çdo forme të diskriminimit, veçanërisht kundër racizmit antimusliman.
Fjalë të qarta drejtuar të pranishmëve patën gjithashtu edhe Presidenti i VIOZ-it Abduselam Halilovic, Imami Bashkim Aliu – kryetar i Këshillit të Ulemave të VIOZ-it – si dhe Christof Meier, drejtuesi i Zyrës për Diversitet, Integrim dhe Antiracizëm të Qytetit të Cyrihut.
Ne i jemi mirënjohës Qytetit të Cyrihut për hapjen e tij dhe përkushtimin afatgjatë ndaj kohezionit, respektit dhe pjesëmarrjes shoqërore.
Fjalimi i Presidentit të VIOZ-it
E nderuara Zonjë Presidente e Qytetit
Të nderuara anëtare të Këshillit të Qytetit
Të dashur përfaqësuese dhe përfaqësues të qytetit dhe kantonit të Cyrihut,
Të dashura kolege dhe kolegë nga bashkësitë myslimane,
Të nderuar të pranishëm,
Është nder dhe kënaqësi e madhe për mua që sot, në emër të VIOZ – Shoqata e Organizatave Islame në Cyrih – të kem mundësinë të ju drejtohem. I falënderoj nga zemra autoritetet e Qytetit të Cyrihut për ftesën në këtë pranimi vjetor të imamëve. Ky aktivitet për ne është një mundësi e çmuar për të zhvilluar shkëmbim mendimesh, për të thelluar marrëdhëniet dhe për të reflektuar mbi vitin që lamë pas – por edhe për të parë përpara me shpresë dhe vendosmëri.
Edhe gjatë vitit të kaluar – dhe veçanërisht javët e fundit – myslimanët në Zvicër ishin sërish temë diskutimi në mënyra të ndryshme. Prania jonë në hapësirën publike, kontributet tona në shoqëri, por edhe sfidat me të cilat përballemi, kanë tërhequr vëmendje në nivele të ndryshme.
Pak para fillimit të muajit të Ramazanit, më 27 shkurt 2025, Zyra Federale për Luftimin e Racizmit publikoi studimin e parë bazë mbi racizmin antimusliman në Zvicër. Rezultatet ishin njëkohësisht alarmante dhe orientuese: Rreth një e treta e afërsisht 450,000 myslimanëve në Zvicër deklaruan se kanë qenë viktima të sulmeve raciste për shkak të përkatësisë së tyre fetare. Kjo bie në kontrast të fortë me numrin zyrtar të rasteve të raportuara, të cilat aktualisht janë vetëm disa dhjetëra në vit.
Kjo mospërputhje tregon qartë se jemi të thirrur si shoqëri: Nevojitet urgjentisht një ndërgjegjësim më i mirë për realitetin e diskriminimit antimusliman. Po ashtu, duhen krijuar mundësi më të lehta dhe më të qasshme për raportim, në mënyrë që përvojat e të prekurve të bëhen të dukshme dhe të merren seriozisht. Racizmi antimusliman nuk është problem i një komuniteti të vetëm – ai na prek të gjithëve. Dhe na kërkon të gjithëve të mbajmë një qëndrim të qartë dhe të veprojmë në mënyrë konkrete.
Si VIOZ, ne e përjetojmë këtë realitet nga afër. Ne – dhe disa nga organizatat tona anëtare – kemi qenë objekt fyerjesh, frikësimesh, madje edhe kërcënimesh. Për fat të keq, këto kanë arritur deri në kërcënime për jetën. Në momente të tilla nuk është e lehtë të vazhdosh me përkushtim për dialog dhe të mirën e përbashkët. Por pikërisht në ato momente kuptohet te kush mund të mbështetesh. Mirënjohje e veçantë i takon Policisë së Qytetit të Cyrihut – dhe veçanërisht Claudio Schärli, ndërlidhësit tonë. Puna dhe qëndrimi i Policisë së Cyrihut janë për ne shembull i përgjegjësisë dhe solidaritetit të jetuar.
Një tjetër moment i rëndësishëm ndodhi para disa ditësh – gjatë iftarit të organizuar nga Federata e Organizatave Islame të Zvicrës (FIDS), ku edhe VIOZ është anëtare. Aty, Këshilltari Federal Beat Jans deklaroi një fakt të thjeshtë: Se myslimanët janë pjesë e Zvicrës. Se edhe Islami, si fe, është pjesë e kësaj shoqërie – dhe kështu pjesë e Zvicrës. Dhe pjesë e Cyrihut.
Ajo që për Qytetin e Cyrihut ka qenë gjithmonë e qartë, u konfirmua edhe një herë atë mbrëmje. Për ne, kjo është një sinjal i rëndësishëm: Rruga drejt së ardhmes kalon përmes pjesëmarrjes, ndërtimit të marrëdhënieve, bashkëpunimit të besueshëm me institucionet komunale, kantonale dhe federale – dhe me shoqërinë civile. Që kjo deklaratë e Këshilltarit Federal u pasua me reagime të ashpra negative ishte për të ardhur keq, por jo befasuese. Megjithatë, kjo nuk do të na ndalojë që të vazhdojmë me guxim këtë rrugë.
Një kundërpeshë e fortë ishte edhe kronika e SRF në lajmet qendrore të mbrëmjes së djeshme. Aty u raportua për namazin e Bajramit të Fitrit, i cili këtë vit për herë të parë u zhvillua në Hallenstadion në qytetin e Cyrihut. Myslimanet dhe myslimanët u treguan në atë kronikë thjesht si ata që janë: njerëz të zakonshëm, familjarë, besimtarë, qytetare dhe qytetarë të këtij vendi. Në një nga stadiumet më të mëdha të vendit, ata u falën me dinjitet dhe paqe – në zemër të Cyrihut. Këto pamje nuk janë vetëm simbolike – ato kanë ndikim.
Qyteti i Cyrihut ka treguar vazhdimisht – në mënyrë simbolike dhe konkrete – se qëndron pranë qytetareve dhe qytetarëve të tij me prejardhje myslimane. Në kohë si këto, kjo ka domethënie të veçantë për ne. Këtu nuk kemi të bëjmë me fjalë boshe, por me realitet të jetuar.
Sot, kemi nderin që në mesin tonë të jetë edhe znj. Franziska Driessen-Reding, përfaqësuese e Kantonit të Cyrihut. Ky bashkëpunim mes qytetit dhe kantonit është, nga këndvështrimi ynë si myslimanë, një model për gjithë Zvicrën. Për këtë jemi thellësisht mirënjohës. Kjo vihet re, për shembull, në fushën e sigurisë – një temë veçanërisht e ndjeshme për ne si pakicë. Këtu, qyteti, kantoni dhe konfederata bashkëpunojnë ngushtë dhe marrin përgjegjësi të përbashkët, edhe financiare.
Një shembull tjetër është projekti „Zürich-Kompetenz“ – një program trajnimi për imamët dhe personat që ofrojnë mbështetje shpirtërore në bashkësitë myslimane. Ai u ofron këtyre figurave të rëndësishme mundësi për të njohur institucionet e qytetit dhe kantonit nga afër. Ky shkëmbim i drejtpërdrejtë, njohja reciproke dhe mirëkuptimi për realitetet e punës së njëri-tjetrit forcon kohezionin shoqëror.
Në këtë kontekst duam të përmendim edhe partnerët tanë nga kishat. Siç e dini, aktualisht është duke u zhvilluar një proces politik për mbështetjen afatgjatë të bashkësive fetare të panjohura zyrtarisht nga ana e kishës protestante dhe asaj katolike. Pikërisht sot, ne si VIOZ do të dorëzojmë kërkesën tonë. Që një gjë e tillë të jetë e mundur, është një sinjal i fuqishëm për dialog të jetuar ndërfetar. Ndoshta edhe unik në nivel botëror. Jemi falënderues dhe shpresojmë që ky proces të shërbejë si model edhe në nivel kombëtar.
Aktualisht ndodhemi në një vit tranzicioni – një vit në të cilin kantoni, por veçanërisht Qyteti i Cyrihut, na mbështesin financiarisht. Pa këtë ndihmë, nuk do të mund t’i realizonim shumë nga aktivitetet dhe projektet tona zhvillimore. Shpresojmë që kjo mbështetje dhe bashkëpunimi që rrjedh prej saj të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Sepse vitet e fundit kanë qenë shumë të frytshme për VIOZ-in. Me ndihmën e partnerëve tanë – veçanërisht të Qytetit të Cyrihut – kemi arritur hapa të rëndësishëm që forcojnë kontributin e myslimanëve për të mirën e përbashkët.
Një hap veçanërisht i rëndësishëm ka qenë themelimi i strukturave tona teologjike islame. Ne jemi të vetëdijshëm që për Qytetin e Cyrihut, aspektet shoqërore kanë përparësi në bashkëpunimin me bashkësitë fetare. Megjithatë, për ne si VIOZ, është thelbësore që të marrim përgjegjësi edhe në aspektin fetar.
Këshilli i Ulemave – organi ynë teologjik-islam – është dëshmi e këtij angazhimi. Ai tregon se ne kemi mbërritur këtu. Se ne i njohim prejardhjet dhe historitë tona të migrimit, por njëkohësisht dëshirojmë të kontribuojmë në mënyrë aktive në zhvillimin fetar dhe shoqëror në Zvicër. Sot, së bashku me ne është edhe kryetari i këtij këshilli, Bashkim Aliu – i cili do t’ju drejtohet pas meje me disa fjalë.
Të nderuar të pranishëm,
Në fund, dua të theksoj edhe një herë: Rruga që po ecim së bashku nuk është gjithmonë e lehtë. Por është e duhura. Ajo karakterizohet nga respekti, bashkëpunimi, njohja reciproke dhe ndjenja e përbashkët e përgjegjësisë. Dhe pikërisht për këtë qëndron VIOZ.
Ne i jemi mirënjohës Qytetit të Cyrihut, kantonit, kishave dhe të gjithë partnerëve tanë për besimin, hapjen dhe mbështetjen e tyre.
Qëllimi ynë i përbashkët është një shoqëri e hapur, e drejtë dhe solidare. Një shoqëri ku të gjithë e gjejnë vendin e tyre – jo vetëm formalisht, por në zemrën e këtij qyteti. Cyrihu na jep guxim gjithnjë e më shumë që kjo është e mundur.
Faleminderit për vëmendjen tuaj – dhe për një të ardhme të përbashkët të mirë.
