Kuvendi i rregullt i Xhamisë Zürich Schwamendingen
Të dielen, më datën 29.03.2026, pas namazit të drekës, në xhaminë e Zürich Schwamendingenit, u mbajt kuvendi i rregullt me anëtarët e saj.
Në këtë kuvend u diskutuan disa pika të rëndësishme për të mirën dhe mbarëvajtjen e xhamisë.
Fillimisht, hoxha i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi të gjithë anëtarët për mbështetjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në funksionimin e xhamisë, si në aspektin material ashtu edhe në atë fizik. Ai theksoi se kjo xhami është më shumë se një vend adhurimi – ajo është një qendër e mirëbesimit, bashkëpunimit, zhvillimit dhe avancimit për të gjitha gjeneratat, si dhe gëzon marrëdhënie të shkëlqyera me institucionet fetare dhe komunale.
Më pas, mbledhjen e udhëhoqi anëtari i kryesisë, Hasan Keka.
Në këtë kuvend u bë plotësimi i anëtarëve të kryesisë, si dhe u zgjodhën këshilltarët dhe revizorët e rinj të xhamisë. Gjithashtu, u miratua buxheti i xhamisë dhe projektet e saj.
Po ashtu, u miratua edhe një rregullore e brendshme e xhamisë, e cila synon ruajtjen e një atmosfere bashkëpunuese brenda komunitetit dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë anëtarët, duke mos lejuar dallime apo nënçmime ndaj askujt, por duke ndërtuar një klimë vëllazërore dhe respekti.
Anëtarët e xhamisë u treguan shumë konstruktivë dhe shprehën mbështetjen e tyre të palëkundur për xhaminë e tyre.
Ëndrra e këtij xhemati është që sa më shpejt të realizohet blerja e një lokali të përshtatshëm, i cili do t’i plotësojë nevojat e xhamisë dhe të besimtarëve të saj.
Dashtë Zoti që kjo ëndërr të realizohet sa më shpejt dhe, me ndihmën e Allahut dhe përkushtimin e secilit prej nesh, të arrijmë edhe shumë suksese të reja në të ardhmen.
